Përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme, anulohen fluturimet Tiranë-Tel Aviv dhe mbyllet ambasada izraelite në Shqipëri
Përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme ka sjellë pasoja të menjëhershme edhe për udhëtimet dhe përfaqësitë diplomatike në mbarë botën. Fluturimet mes Tiranës dhe Tel Avivit janë anuluar për shkak të gjendjes së pasigurt, ndërsa Ambasada e Izraelit në Shqipëri ka mbyllur dyert, duke pezulluar të gjitha shërbimet konsullore.
Ministria e Jashtme e Izraelit ka urdhëruar mbylljen e të gjitha misioneve diplomatike izraelite në botë dhe ka ndalur përkohësisht ofrimin e shërbimeve konsullore. Në një njoftim zyrtar, Ambasada e Izraelit në Shqipëri u ka bërë thirrje shtetasve izraelitë të ndodhur jashtë vendit të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë pranë autoriteteve:
“Një formular online është i disponueshëm për izraelitët jashtë vendit për të raportuar vendndodhjen dhe statusin e tyre aktual. Ju lutemi plotësojeni atë për të ndihmuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të qëndrojë e përditësuar. Në rast emergjence ose fatkeqësie, kontaktoni menjëherë Dhomën e Situatave të Ministrisë.”
Po ashtu, janë dhënë disa rekomandime të posaçme sigurie për qytetarët izraelitë që ndodhen jashtë vendit:
-Të shmangin shfaqjen e simboleve hebraike ose izraelite në hapësirat publike.
-Të mos publikojnë në rrjetet sociale vendndodhjen ose planet e tyre të udhëtimit.
-Të shmangin tubimet ose ngjarjet e lidhura me Izraelin ose komunitetet hebraike.
-Të bashkëpunojnë me forcat lokale të sigurisë dhe të ndjekin menjëherë udhëzimet e tyre nëse ndihen të rrezikuar.
-Të jenë vigjilentë në vendet publike.
Ambasada i ka këshilluar shtetasit izraelitë që në rast nevoje urgjente të përdorin numrat e emergjencës të publikuar në faqen zyrtare.