Përrenjas/ Ngacmoi seksualisht dy nxënëset e mitura, shkarkohet nga detyra mësuesi 55-vjeçar (Emri)
Pas akuzave të rënda për ngacmim seksual ndaj nxënëseve, mësuesi i shkollës “Sali Halili” në fshatin Rrajcë, Fatmir Hoxha, është shkarkuar menjëherë nga detyra.
Ky zhvillim vjen pas hetimeve të kryera nga autoritetet dhe verifikimeve të bëra nga drejtoria e shkollës dhe shërbimi psiko-social.
Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP) ka njoftuar se menjëherë pas informacioneve të marra mbi një rast të dyshuar ngacmimi, është ndërmarrë masa e shkarkimit të mësuesit Hoxha, ndërkohë që rasti është referuar zyrtarisht pranë Policisë së Shtetit për hetime të mëtejshme. AKAP ka garantuar angazhimin e plotë për sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve, duke fuqizuar mekanizmat parandalues të ngacmimeve në shkolla.
55-vjeçari u arrestua më herët nga Policia e Librazhdit, pas denoncimeve nga dy nxënëse të moshës 13 dhe 14 vjeç, të cilat akuzuan mësuesin për ngacmime seksuale dhe përndjekje të vazhdueshme. Sipas hetimeve, mësuesi tentoi të largohej nga Shqipëria, duke u ndaluar në aeroportin e Rinasit në tentativë për të ikur jashtë shtetit.