Përqafimi që mund t’i kushtojë 30 milionë paund CEO-s së Astronomer – Krisje në martesë pas tradhtisë virale në koncertin e Coldplay
Një përqafim në dukje i pafajshëm, por që mund të ketë pasoja katastrofike për jetën personale dhe profesionale të CEO-s së “Astronomer”, Andy Byron. Gjatë një koncerti të Coldplay në Boston, ai u kap nga “Kiss Cam” teksa përqafohej me shefen e burimeve njerëzore të kompanisë, Kristin Cabot – moment ky që u transmetua në ekranin gjigant dhe më pas u bë viral në rrjetet sociale.
Të dy janë të martuar me persona të tjerë. Videoja ndezi menjëherë alarmin në familjen e Byron. Bashkëshortja e tij, Megan Kerrigan, hoqi mbiemrin “Byron” nga rrjetet sociale dhe më pas fshiu të gjitha llogaritë, ndërsa interneti u mbush me mesazhe mbështetjeje për të. Edhe pse divorci ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, krisja në martesë është evidente dhe llogaritë janë të frikshme për Byron.
CEO-ja 50-vjeçar zotëron një pasuri prej rreth 60 milionë paund dhe, në mungesë të një marrëveshjeje paramartesore, gruaja mund të kërkojë deri në 30 milionë paund në rast divorci. Por dëmet nuk ndalen aty. Skandali ka përfshirë edhe vetë kompaninë. Astronomer, një firmë teknologjike që merret me inteligjencë artificiale dhe vlerësohet 1 miliard paund, ka nisur një hetim të brendshëm ndaj marrëdhënies së tij me drejtuesen e burimeve njerëzore, çka mund të shkelë rregullat e etikës dhe transparencës së brendshme.
Byron përballet jo vetëm me pasojat financiare të një divorci të mundshëm, por edhe me rrezikun për humbje të aksioneve apo edhe shkarkim nga detyra. Kritikët online nuk kanë kursyer komentet: “Shko Megan, merr avokatin dhe merr paratë”, ishte mesazhi më i shpërndarë në rrjet.
Ironikisht, vetëm pak kohë më parë, Byron e kishte lavdëruar publikisht Cabot për “përvojën dhe etikën profesionale”, ndërsa ajo vetë kishte shprehur entuziazëm për të punuar me të. Tani, ky bashkëpunim i ngushtë duket se po trondit jo vetëm një martesë, por edhe themelet e një prej kompanive më premtuese në fushën e teknologjisë.