Përplasje, shi dhe ankth në protestën 3 orëshe të Opozitës, Berisha: Asgjë nuk na pengon! Gjekmarkaj përfundon në QSUT, 15 në komisariat

Shiu nuk i ka ndalur demokratët për të zhvilluar protestën e radhës në formën e mosbindjes civile.

Për rreth 3 orë dhjetëra qytetarë “pushtuan” arteriet kryesore të Tiranës, konkretisht Zogun e Zi, Rrugën e Elbasanit, Sheshin Willson dhe rrugën para Bashkisë, duke krijuar tension dhe kaos në rrugët e kryeqytetit.

Prezent edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pasi ai ka qenë nën masë sigurie arrest në shtëpi.

Berisha tha se asgjë nuk i ndal demokratët deri në realizimin e objektivave të tyre që janë qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.

“Asgjë nuk i pengon demokratët për të realizuar objektivat e tyre. Sot një nga ditët më të veçanta të dhjetorit, por sot është përsëri dita e demokrateve. Ja ku jemi në detyrë, në protestë, revoltë, në mosbindje.

Nuk munguan as përplasjet fizike, me punonjësit e policisë, pasi këta të fundit kanë tentuar për t’i shpërndarë dhe zhbllokuar trafikun.

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka u përplas fizikisht me shefin e Komisariatit nr.1, teksa pretendoi se mes të protestuesve ka efektivë policie që janë të armatosur.

Alarm dhe frikë për Agron Gjekmarkaj.
Nënkryetari i Parlamentit dhe i PD do ta kalojë natën në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Me urdhër të mjekëve ai u transferua nga Spitali i Traumës drejt QSUT-së për të qëndruar aty nën kujdesin e mjekëve.

Nuk dihen ende saktësisht se çfarë ka ndodhur me deputetin demokrat, por opozita pretendon se ai është dhunuar nga forcat e policisë. Kjo e fundit mohon se ka ushtruar dhunë ndaj Gjekmarkajt, por thekson se ai nuk është ndjerë mirë dhe u largua nga protesta.
Nga spitali i Traumes ku ai qendroi per disa ore u shpreh se me përbuzje e kanë shtyrë, edhe pse i është prezantuar se është nënkryetari i Parlamentit.

“Isha i mbështetur te një makinë, u thashë jam nënkryetari i Parlamentit, jam profesor në Universitet. Më shtynë, as më shikonin në sy kështu…Me përbuzje! Më ushtruan presion në gjoks dhe mbeta pa frymë”, tha Gjekmarkaj.

Të paktën 15 persona u shoqëruan nga Policia si organizatorë të tubimeve masive.