Përplasje mes dy makinave në Durrës, shoferi i Audi-t dhunohet nga grupi i të rinjve dhe përfundon në spital

Një aksident mes dy automjeteve në lagjen 13 të Durrësit ka degjeneruar në një përleshje të dhunshme, duke lënë të plagosur një nga drejtuesit e mjeteve.

Ngjarja ndodhi kur një Audi me targa gjermane, ku udhëtonte një familje shqiptare emigrante, dhe një Volkswagen me targa shqiptare u përplasën. Pas debatit mes shoferëve, një grup të rinjsh ndërhynë në konflikt dhe sulmuan drejtuesin e Audi-t, duke e goditur me dhunë.

Si pasojë e sulmit, ai ka pësuar thyerje të hundës dhe çarje në vesh, duke u transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Durrësit. Fatmirësisht, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, shoferi i Volkswagen-it është larguar nga vendngjarja dhe ende nuk është identifikuar. Policia ka mbërritur në zonë dhe po heton ngjarjen, duke sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorët e dhunës.