Përplasje e re! Pesidenti kërcënon kontratat e SpaceX dhe Tesla: DOGE është një përbindësh që do ta hajë Elonin
Armëpushimi mes Elon Musk dhe presidentit Donald Trump nuk zgjati as një muaj. Pas debatit të fundit mbi “Projektligjin e Madh dhe të Bukur” të propozuar nga Trump dhe mbështetur nga shumica republikane në Senat, Musk nisi një fushatë intensive kundër ligjvënësve që e mbështetën këtë projekt, duke paralajmëruar fushata kundër tyre në primaret e ardhshme.
Trump reagoi fuqishëm, duke kërcënuar se mund të rishikojë kontratat e mëdha që kompanitë e Musk kanë me qeverinë federale. Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, ai tha:
“DOGE është një përbindësh që do të kthehet dhe do ta hajë Elonin.”
Trump nënkuptoi se Departamenti i Efiçencës Qeveritare, një ent i formuar për të kontrolluar shpenzimet federale dhe që dikur Musk ka sugjeruar ta drejtojë, mund të përdoret për të hetuar marrëveshjet qeveritare të kompanive si SpaceX dhe Tesla.
Kjo përplasje e re ka ndikuar ndjeshëm edhe në tregjet financiare. Aksionet e Tesla ranë me 7% të martën, pas një rënie prej 2% një ditë më parë. Kjo vjen në vazhdën e shqetësimeve të investitorëve se administrata Trump mund të hakmerret ndaj Musk duke ndërprerë bashkëpunimet shtetërore.
Musk nga ana tjetër ka vazhduar publikimet në rrjetin e tij “X”, ku ka quajtur projektligjin e ri një “turp” dhe ka akuzuar kongresmenët për hipokrizi. Ai ka ndarë postera ku etiketon si “gënjeshtarë” anëtarët e Kongresit që u zotuan të ulin borxhin, por mbështetën një ligj që shton mbi 3 trilionë dollarë në deficitin kombëtar.
Në mesazhet e tij, Musk ka paralajmëruar gjithashtu krijimin e një partie të tretë politike, të quajtur “Partia e Amerikës”, si një alternativë ndaj republikanëve dhe demokratëve, nëse ligji kalon.