Përplasje e përgjakshme Indi-Pakistan, mbi 34 viktima mes tyre dhe 3-vjeçarja

Përshkallëzimi i tensioneve midis Pakistanit dhe Indisë, pas sulmit në pjesën pakistaneze të Kashmirit po shkakton shqetësim global.

Forcat e armatosura të Indisë dhe Pakistanit shkëmbyen zjarr në kufirin e tyre të diskutueshëm në Kashmir, disa orë pas sulmeve ajrore indiane në territorin pakistanez në hakmarrje për sulmin vdekjeprurës më 22 prill.

Raketat indiane që goditën objektiva në gjashtë qytete në Kashmir dhe Punjab të Pakistanit, vranë të paktën 26 persona, përfshirë një vajzë trevjeçare, dhe plagosën 46 të tjerë, sipas forcave të armatosura pakistaneze.

India, nga ana e saj, raportoi tetë vdekje dhe 29 plagosje në fshatin Poonch, në pjesën veriperëndimore të sektorit të Kashmirit të kontrolluar nga India, për shkak të zjarrit të artilerisë pakistaneze që ushtria indiane tha se u qëllua pa dallim.

Beteja, e cila filloi natën, vazhdoi në mëngjes në fshat, zona e të cilit u shënjestrua nga predha të shumta.

Në zonën, e cila ishte e mbuluar nga një re tymi i zi, shpërthime të fuqishme vazhdonin të dëgjoheshin herë pas here.

“Na zgjuan të shtënat me armë zjarri. Pashë që ranë predha.” “U thashë të tjerëve të dilnin nga ndërtesa, kisha frikë se do të na binte mbi kokat tona”, tha Farooq, një banor i Poonch, për agjencinë e lajmeve Press Trust of India (PTI).

Gjatë natës, gazetarët dëgjuan shpërthime të mëdha rreth Srinagarit, një qytet i madh në rajonin e Kashmirit të kontrolluar nga India, jo shumë larg selisë së forcave të armatosura indiane në zonë.

Një burim në forcat indiane tha se tre avionë luftarakë të forcave ajrore u rrëzuan, pa shpjeguar arsyen. Më parë, gjenerali Chowdhury foli për rrëzimin e pesë avionëve luftarakë indianë, gjë që New Delhi nuk e konfirmoi.

Ministri pakistanez i Mbrojtjes, Khawaja Asif, foli gjithashtu për rrëzimin e “pesë avionëve armik” dhe kapjen e ushtarëve indianë.

Tre avionë të Forcave Ajrore Indiane u rrëzuan në rajonin Jammu dhe Kashmir të Indisë, thanë burime të agjencisë së lajmeve Reuters për autoritetet lokale, disa orë pasi New Delhi njoftoi se kishte goditur nëntë vende, “infrastrukturë terroriste” siç i quajti ato përtej kufirit me Pakistanin.