Përplasja midis dy familjeve në Rrëshen/ Si i shpëtoi atentatit Saimir Reçi


Por kush ishte Marjan Marku, që kishte ndryshuar gjeneralitetet në Martin Bardhi dhe cila ishte ngjarja e ndodhur jo shumë kohë më parë, që mund të kishte çuar edhe në hakmarrjen ndaj tij? Cili është konflikti në të cilin ai u përshi 6 muaj, para se plumbat ti merrnin jetën? A ishte pikërisht ky konflikt që u kthye në shkakun për të cilin ai do të vritej?

Apo kjo ngjarje ku ishte i përfshirë nipi i Kastriot Reçit, një tjetër personazhi të ekzekutuar në mes të qytetit të Rrëshenit, kishte lidhje me një përplasje më të madhe tektonike midis fiseve Reçi dhe Gjini, të cilët ishin përplasur dhunshëm në këtë qytet dhe jashtë tij? Çfarë lidhje ka Martin Bardhi me ekzekutimin me snajper të Kastriot Reçit, më 7 janar të vitit 2020, në qendër të Rrëshenit? Dhe a kthyen këto dyshime, në shkakun e eliminimit tri vite më pas të tij? Por përpara se të shkojmë te këto dyshime, emisioni “Në Shënjestër” nga Klodiana Lala në News24, është ndalur fillimisht te përplasja e fundit me armë midis Martin Bardhit në njërën anë dhe Saimir Reçit, nipit të Kastriot Reçit, në krahun tjetër.

Ngjarje e ndodhur më 26 mars të vitit 2023, në qytetin e Rrëshenit, ku Marjan Marku apo ndryshe Martin Bardhi, ishte arrestuar në të njëjtën ditë, në këtë qytet dhe ishte në pritje të gjykimit në akuzën e ‘Vrasjes me paramendim’ të kryer në bashkëpunim të mbetur në tentativë si dhe ‘Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak’. Gjithçka në atë kohë u tha se nisi si një konflikt i çastit, midis disa personave. Debati, shpejt përfundoi me përdorimin e armëve të zjarrit, ku u tha se Erind Bardhi, dhe babai i tij Martin Bardhi, si edhe një i afërm i tyre, qëlluan me armë zjarri ndaj automjetit të shtetasit Saimir Reçi. Për fat të mirë ky i fundit mundi t’i shpëtojë plumbave. Kjo falë edhe makinës së blinduar me të cilën ai lëvizte në atë moment që i shpëtoi jetën duke u ndalur në një pikë furnizimi me karburant.