Përplasja mes Icardit dhe Wandës! Futbollisti akuza të forta ish-partneres: Më vodhe 7 milionë euro
Konflikti mes Mauro Icardit dhe Wanda Narës ka marrë përmasa të reja këtë javë, duke kaluar nga një divorc i stuhishëm në një përballje publike me akuza për vjedhje, manipulim dhe prishje të marrëdhënieve familjare. Drama e ish-çiftit vazhdon të dominojë titujt e mediave në Argjentinë dhe jashtë saj, me secilën palë që hedh akuza të rënda ndaj tjetrës në rrjetet sociale.
Prej muajsh, ish-partnerët janë përfshirë në një betejë ligjore për ndarjen e pasurisë, kujdestarinë e dy vajzave të tyre – Francesca dhe Isabella – dhe çështje që lidhen me menaxhimin e kontratave dhe të ardhurave. Por së fundmi, përplasja ka kaluar çdo kufi.
Në një postim në Instagram, sulmuesi i Galatasaray publikoi një pamje të ekranit që sipas tij i përkiste llogarisë bankare të Wanda Narës, duke e akuzuar se i kishte marrë padrejtësisht 7 milionë euro. “Vjedhja është raportuar në Itali. Kam prova për gjithçka”, shkroi ai, duke shtuar se Wanda kishte kërkuar konfiskimin e telefonit të tij për të fshehur provat – një kërkesë që sipas tij dështoi në gjykatë.
Një tjetër surprizë nga Icardi ishte deklarata në të cilën e quajti aktoren Eugenia “China” Suárez “gruan e tij të ardhshme”. Kjo njoftim publik ndodhi pikërisht në një moment kur Wanda ka shprehur shqetësim për përfshirjen e aktores në jetën e vajzave të tyre të mitura.
Wanda Nara reagoi menjëherë me një mesazh të fortë emocional, duke akuzuar Icardin për papërgjegjshmëri dhe përfshirjen e vajzave në marrëdhënie të reja që, sipas saj, i dëmtojnë emocionalisht. “Do të paguash për çdo lot që derdhin vajzat e mia”, shkroi ajo, duke shtuar se vajza e vogël kishte refuzuar të hante pas një takimi me babain dhe China Suárez.
Futbollisti nuk u tërhoq. Në një tjetër reagim, ai kërkoi nga Wanda të respektojë marrëdhënien e tij të re, duke e akuzuar për xhelozi dhe vëmendje ndaj famës më shumë sesa mirëqenies së vajzave. “Mos harro që janë vajzat tona që vuajnë”, tha ai, duke paralajmëruar se do të kërkojë kujdestarinë e plotë.
Ndërkohë që Wanda po pushon në Ibiza, Icardi është kthyer në Argjentinë për të kaluar kohë me vajzat. Përplasja e tyre ka dalë nga kuadri personal dhe po shndërrohet në një rast të ndjeshëm ligjor që pritet të përfundojë në gjykatë.