Përplasja me armë në Bushat, Apeli i GJKKO jep vendimin për Samuel Troshanin dhe Izmir Sakicën

Apeli i Gjykatës së Posaçme ka vendosur të lërë në burg Samuel Troshanin dhe Izmir Sakicën, të cilët kërkuan lirinë nga qelia pas akuzave për përfshirje në një përplasje me armë në Bushat, Shkodër.

Dy të rinjtë u vetëdorëzuan në polici më 25 janar 2025, pas disa muajsh në kërkim, ndërsa Prokuroria e Posaçme (SPAK) i akuzon për pjesëmarrje në një sulm të organizuar për të ekzekutuar Aleksandër Prendin dhe familjarët e tij. Sipas hetimeve, ata, së bashku me Franko Lekën dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, udhëtuan me mjete të blinduara drejt fshatit Rranxë në Bushat.

Gjatë kalimit në zonë, grupi i armatosur u përball me të shtëna nga Aleksandër Prendi, çka solli një shkëmbim zjarri. Pavarësisht plumbave, nuk pati të lënduar, por vetëm dëmtime në automjetet e përdorura nga autorët. Një nga makinat rezultoi e paregjistruar dhe me targa të huaja.

Gjykata e Posaçme ka vendosur masën “arrest në burg” për Troshanin, Sakicën dhe Franko Lekën, të akuzuar për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.

Nga ana tjetër, masa e njëjtë është vendosur edhe për Aleksandër Prendin, i akuzuar për “vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

SPAK ka zhvilluar kontrolle në disa banesa në Shkodër, të cilat dyshohen si baza të grupit kriminal, ndërsa vijon puna për arrestimin e të dyshuarve ende në kërkim.