Ndërsa Kosova shkon në zgjedhje të dielën më 9 shkurt, çështja e marrëdhënieve të saj me Shtetet e Bashkuara është bërë këto ditë objekt diskutimesh pas dy postimeve në rrjetin social X nga i dërguari i Presidentit Trump për misione të posaçme Richard Grenell, i cili në administratën e parë ishte i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë–Serbi.
Zoti Grenell u shpreh të hënën në postimin e tij të parë se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk është e besueshme, duke shtuar se “retorika e përdorur nga (Albin) Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni” shkroi ai.
Të enjten në përgjigjen e tij të parë ndaj këtyre komenteve, Kryeministri Kurti gjatë një interviste në televizionin Istogu Channel, tha se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, janë shumë të mira.
“Kurrë ma mirë s’i kemi pasur. Po blejmë edhe helikopterë Black Hawk pas sistemit Javelin anti-tank, grantin më të madh nga SHBA e kemi marrë gjatë qeverisjes time… Kurrë ma mirë nuk ka qenë. A ka ndonjë herë kritika e vërejtje? Po, por ne duhet me ecë përpara”, tha kryeministri Kurti.
Në një tubim parazgjedhor në Istog në perëndim të Kosovës, Kryeministri Kurti kritikoi opozitën që siç tha, po kërkon ndihmë nga “ndonjë ndërkombëtar”.
“Kjo lloj opozite e lyp fatin me qiri te ndonjë ndërkombëtar i cekët, e jo në thellësinë historike të popullit tonë ku gjithmonë gjenden zgjidhjet. Këta të cilët këqyrin me gjetë ndonjë zyrtar amerikan me ua sha kryeministrin e Republikës së tyre, këta nuk duhet kurrë të kthehen”, tha zoti Kurti, por pa përmendur emra.
Gjatë mandatit të parë të Presidentit amerikan Donald Trump, marrëdhëniet e qeverisë Kurti më Shtetet e Bashkuara ishin të tensionuara. Në nëntor të vitit të kaluar pas fitores së zotit Trump zoti Kurti tha qeveria e tij është e gatshme dhe e interesuar të vazhdojë bashkëpunimin me administratën e re amerikane.
Marrëdhëniet e qeverisë së tij nuk panë ditët më të mira as me administratën e ish Presidentit Joe Biden. Diplomatët amerikanë disa herë kanë tërhequr vërejtjen se veprimet e autoriteteve të Kosovës në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, kishin ndikuar në cilësinë e partneritetit dhe paralajmëruan Prishtinën se mospajtimet pengojnë angazhimin e tyre për të ndihmuar përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.
Analistët me të cilët gjatë javës bisedoi Zëri i Amerikës, i cilësuan të pazakonshme deklarimet e zoti Grenell në këtë periudhë, por tërhoqën vërejtjen se cilado qoftë qeveria e ardhshme që do të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit do të përballet me sfida shumë më të rënda në një botë shumë më të paparashikueshme dhe duhet të jetë e kujdesshme në trajtimin e aleancave. /VOA