Përplasja e makina degradon në sherr masiv, arrestohen 3 vëllezërit, në arrati një tjetër person

Katër persona janë arrestuar nga policia e Durrësit pas një konflikti fizik me njëri-tjetrin.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, teksa në pranga kanë rënë 3 vëllezër dhe administratori i një lokali aty pranë, pasi hoqi regjistrimin e kamerave të sigurisë.

Në kërkim është shpallur një tjetër person.

NJOFTIMI I POLICISË:

U konfliktuan fizikisht me njëri-tjetrin, pas përplasjes së 2 automjeteve, vihen në pranga 4 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.

Procedohet administratori i lokalit në afërsi të të cilit ndodhi konflikti, sepse hoqi DVR-në e kamerave të sigurisë së lokalit.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të konfliktit të ndodhur pasditen e djeshme, në lagjen nr. 13, Durrës, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasit:

 

A. K., 42 vjeç, E. K., 36 vjeç dhe R. K., 32 vjeç (vëllezër), për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim;

 

A. H., 22 vjeç, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Deklarimi i rremë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vertetës”;

 

-shpallën në kërkim shtetasin B. H., 63 vjeç, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëëpunim dhe “Shkatërrimi i pronës”;

 

-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Zh., 35 vjeç, banues në Durrës, administratori i një lokalit përpara të cilit ka ndodhur konflikti, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

 

Dje, rreth orës 18:50, automjeti me drejtues shtetasin B. H. është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. K. Pas përplasjes, janë përfshirë në konflikt fizik, shtetasi A. K. dhe 2 vëllezërit e tij me shtetasit B. H. dhe A. H.

Shtetasi A. H., gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, nuk ka treguar për rrethanat e konfliktit dhe për shtetasit e përfshirë, ndërsa shtetasi A. Zh. ka hequr dhe ka fshehur DVR-në e kamerave të sigurisë së lokalit, me qëllim që të pengonte veprimet hetimore të Policisë.

Vijon puna për kapjen e shtetasit B. H. dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në konflikt.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.