Përplasja ajrore në Indi/ Shkon në 290 numri i viktima! Britania paralajmëron humbje të mëdha të jetëve
Sipas një burimi të policisë i cituar nga agjencia Reuters, numri i viktimave nga aksidenti ajror tragjik në Ahmedabad të Indisë ka arritur në 290, ndërsa ende nuk është sqaruar se sa prej tyre ndodheshin në bord dhe sa ishin në tokë. Tragjedia ka tronditur jo vetëm Indinë, por edhe vendet që kishin shtetas në avionin e rrëzuar të Air India.
Britania paralajmëron për humbje të mëdha jetësh
Zëdhënësi i qeverisë britanike deklaroi se publiku duhet të përgatitet për humbje të konsiderueshme të jetëve të qytetarëve britanikë që ndodheshin në avionin e nisur për në Londër. “Pamjet që vijnë nga vendi i ngjarjes janë tronditëse. Është një moment jashtëzakonisht i dhimbshëm për familjet. Situata është ende në zhvillim,” u shpreh zëdhënësi i Downing Street, duke shtuar se për momentin nuk mund të konfirmohej zyrtarisht nëse kishte ndonjë të mbijetuar britanik.
Dyshime për problem teknik me pikat e ngritjes
Sipas analistëve të aviacionit, videoja e publikuar në rrjetet sociale – e verifikuar nga BBC – tregon avionin që humbte lartësi dhe shpërtheu në flakë pasi u përplas në tokë. Ekspertët flasin për një problem të mundshëm në sistemin e paneleve të ngritjes (flaps).
Analisti i aviacionit, Geoffrey Thomas, theksoi se në momentin e rrëzimit, sistemi i uljes ishte ende i shtrirë, ndërsa flaps-at ishin tërhequr – një situatë tepër e pazakontë kaq herët pas ngritjes.
Zëvendëspresidenti i Federatës së Shoqatave Mjekësore të Indisë deklaroi se të paktën pesë studentë të mjekësisë humbën jetën, ndërsa rreth 50 të tjerë u plagosën, shumë prej tyre në gjendje kritike.
“Miqtë tanë në spital janë ende duke kërkuar njerëz që mund të jenë bllokuar nën rrënoja,” deklaroi ai.
Reagimi i Air India: Ekip special mbështetjeje dërgohet në vendngjarje
Drejtori i përgjithshëm i Air India, Campbell Wilson, deklaroi se të plagosurit janë transportuar në spitalet më të afërta nga autoritetet lokale, ndërsa një ekip i posaçëm i linjës ajrore është nisur drejt Ahmedabadit për të ofruar ndihmë dhe mbështetje psikologjike për familjet.