Përplasi për vdekje turistin në Fushë-Arrëz, arrestohet 24 vjeçari

Një aksident me vdekje është regjistruar ditën e djeshme në Fushë – Arrëz, ku është përplasur një automjet me një motomjet dhe për pasojë ka humbur jetën një turist sllovak, ndërsa bashkëshortja e tij ka mbetur e plagosur rëndë dhe po trajtohet në Spitalin e Traumës.

Ndërkaq policia bën me dije se është arrestuar drejtuesi i automjetit, shtetasi R. V., 24 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin në aksin rrugor në fshatin Kryezi, informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin R. V., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Nga përplasja e automjetit që drejtonte ky shtetas me motomjetin që drejtonte shtetasi sllovak Z. S., 63 vjeç, humbi jetën drejtuesi i motomjetit dhe u dëmtua bashkëshortja e tij, shtetasja K. S., 65 vjeçe, që udhëtonte me të, e cila ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.”, njofton policia.