Përplasen dy italianët në Velipojë! Humb jetën 19-vjeçari, arrestohet kunati i tij

Një turist italian ka humbur jetën  në spitalin e Shkodrës, pas përplasjet me Jet-Ski në plazhin e Velipojës. 19-vjeçari Nicola Lorio kishte ardhur për pushime në vendin tonë, por humbi jetën si pasojë e manovrave që po kryente me kunatin e tij me Jet Ski. Të dy po kryenin manovra dhe më pas dy mjetet janë përplasur në det, 1 milje jashtë perimetrit të sigurisë.

I riu mori plagë të rënda në kokë dhe në qafë si pasojë e përplasjes dhe për pasojë ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës. Policia e Shkodrës njofton se ka arrestuar italianin tjetër, Salvadore Di Tella 20 vjeç, për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”.

Dy italianët kishin lidhje me njëri tjetrin. I arrestuari mësohet se është kunati i 19-vjeçarit. Ata kishin ardhur për pushime në Shqipëri dhe kishin disa ditë në vendin tonë. Në Velipojë ishin pushues ditor dhe nuk po qëndronin aty.

 

Velipojë/Informacion shtesë

Në vijim të dy informacioneve te dhëna më parë, në lidhje me përplasjen e dy mjeteve lundruese Jet Ski, në thellësi të plazhit të Velipojës, rreth një milje larg nga perimetri i sigurisë, ku si pasojë e plagëve të marra shtetasi italian N. L., 19 vjeç, humbi jetën në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ju informojmë se:

Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, u arrestua në flagrancë shtetasi S. D., 20 vjeç, banues në Napoli Itali (vëllai i të fejuarës së shtetasit N. L, që humbi jetën.)

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasje nga Pakujdesia”