Përplasen dy avionë në aeroportin e Uashingtonit, mes pasagjerëve edhe anëtarë të Kongresit Amerikan
Një incident ajror është regjistruar në Aeroportin Kombëtar Ronald Reagan në Uashington, SHBA, ku dy avionë të kompanisë “American Airlines” janë përplasur në pistë. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) konfirmoi se njëri prej avionëve transportonte disa anëtarë të Kongresit Amerikan.
Sipas raportimeve të ABC News, përplasja ndodhi kur një Bombardier CRJ 900, që operonte fluturimin 5490 nga Uashingtoni drejt Charleston-it, Karolina e Jugut, u përplas me krahun e një Embraer E175, që ishte nisur për në aeroportin JFK në Nju Jork me fluturimin 4522.
Fatmirësisht, autoritetet bënë të ditur se nuk ka pasur të lënduar si pasojë e përplasjes. Kongresmeni Nick Lalotta, një nga pasagjerët në njërin prej avionëve, deklaroi në rrjetin social X: “Avioni në të cilin ndodhesha ishte i palëvizshëm në pistë, kur një tjetër aeroplan goditi krahun tonë. Për fat të mirë, të gjithë janë mirë!”
Ngjarjen e konfirmoi edhe kongresmeni Josh Gottheimer, i cili ndodhej në të njëjtin fluturim. Ai deklaroi për ABC News: “Aeroplani u trondit fort. Ishte e qartë se ishim të goditur”.
Autoritetet kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e përplasjes dhe për të vlerësuar dëmet. ndërkohë, të gjitha fluturimet në pistë u pezulluan përkohësisht për të garantuar sigurinë e udhëtarëve dhe personelit ajror.