“Përpjekje për presion ndaj SPAK-ut”- KLP: Qëndrojmë në mbështetje të prokurorit Ols Dado
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka reaguar pas sulmeve të vazhdueshme ndaj prokurorit të çështjes së Erion Veliajt, Olsi Dado, duke shprehur mbështetje të plotë për të dhe të gjithë prokurorët e Republikës së Shqipërisë. KLP ka shprehur shqetësim për fushatën e sulmeve, etiketimeve denigruese dhe përpjekjeve për të ushtruar presion ndaj prokurorëve të SPAK-ut, duke theksuar se këto veprime dëmtojnë integritetin dhe besimin në drejtësinë shqiptare.
Në një deklaratë për mediat, KLP shprehu se çdo përpjekje për të ndikuar në hetimet e SPAK-ut përmes presioneve publike ose debatit politik minon parimet e demokracisë dhe shtetin e së drejtës. KLP kërkoi që çdo pretendim, akuzë ose ankesë ndaj një prokurori të trajtohet në përputhje me ligjin dhe brenda kuadrit institucional, për të siguruar një proces të drejtë dhe të paanshëm.
“Sulmet verbale cenojnë procesin e drejtë hetimor dhe gjyqësor, si garanci themelore të shtetit të së drejtës,” tha KLP, duke shtuar se ka rëndësi që mediat të respektojnë standardet etike të raportimit dhe të sigurojnë paanshmërinë në informimin e opinionit publik. KLP bëri thirrje për durim dhe maturi, duke theksuar se presionet ndaj drejtësisë duhet të shmangen për të garantuar funksionimin e saj mbi bazën e fakteve dhe procesit të drejtë ligjor.
Në fund, KLP konfirmoi mbështetjen e saj të plotë për prokurorin Olsi Dado dhe të gjithë prokurorët që ushtrojnë funksionin e tyre në përputhje me ligjin, si një nga garancitë më të rëndësishme për funksionimin e drejtësisë në Shqipëri.