“Përmes taksisë bënte punë për Talo Çelën” – Erion Alibej tregon si u vendos ekzekutimi i Bujar Çelës, angazhuan Kusho me Nipçen

Bashkëpunëtori i drejtësisë, Erion Alibej, ka rrëfyer në seancën gjyqësore se si u mor vendimi për të ekzekutuar Bujar Çelën, vëllain e Talo Çelës, krim i ndodhur më 17 shtator 2020 në Bradashesh të Elbasanit.

Në dëshminë e tij, Alibej tha se Bujar Çela ishte njeriu më i afërt i Talos dhe përmes taksisë bënte punë dhe lëvizje për të vëllain. “Duke qenë njeri i afërt i Talos, por edhe pse përmes taksisë bënte punë e lëvizje për Talo Çelën, vendosëm ta ekzekutonim,” u shpreh ai.

Ai shtoi se fillimisht për ekzekutimin u angazhuan nipi dhe kusho, të cilët sipas tij janë Skerdi Tase dhe Henrik Hoxha. “Bujar Çela kishte një pikë shumice afër shtëpisë. Pas vrasjes së Emiliano Ramazanit, diskutova me Nuredinin që armën e krimit ta vendosnim tek shtëpia e Bujar Çelës. E dija ku ishte shtëpia, pasi kisha informator Xhulian Hoxhën,” tha dëshmitari.

Alibej tregoi se tentuan të gjenin një send që Bujar Çela e kishte prekur, si një qese, për ta futur brenda armën e krimit dhe ta groposnin pranë shtëpisë. “Më pas do të sinjalizoja policinë përmes Leonard Palushit, por nuk e arritëm dot këtë plan.”