Përmbytjet në Vlorë, miratohet fondi i dëmshpërblimeve për familjet e prekura

Fondi prej 613 milionë lekësh, tashmë i miratuar nga Këshilli i Bashkisë Vlorë, ka marrë edhe ligjshmërinë përfundimtare në Prefekturë. Ky fond është alokuar pas një procesi të plotë verifikimi të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e 4 tetorit. Kreu i Emergjencave Civile në Bashkinë Vlorë, Ardian Vreshtazi, ka konfirmuar se shpërndarja e ndihmës financiare do të përfundojë brenda fundit të këtij muaji.

Fondi është përcaktuar në bazë të dëmeve të evidentuara në terren dhe është miratuar pas shqyrtimit nga Qeveria Shqiptare dhe organet përkatëse. Brenda këtij muaji, ndihma financiare do t’u shpërndahet të gjitha familjeve të prekura, me vlera të caktuara sipas nivelit të dëmeve.

Përmbytjet e 4 tetorit shkaktuan dëme të mëdha në dhjetëra familje dhe biznese në zonën e Vlorës. Procesi i verifikimit dhe i miratimit të fondit u krye me kujdes për të siguruar që çdo familje të marrë mbështetjen e duhur financiare në përputhje me humbjet e shkaktuara.