Përmbyset pista e hetimeve për vrasjen e palestinezes në Tiranë, autor i krimit dyshohet se është babai i 24-vjeçares

Hetimet për vrasjen e 24-vjeçares palestineze Rayyan Alwan në Tiranë kanë marrë një kthesë të papritur. Fillimisht, policia dyshonte se e reja ishte vrarë me thikë nga bashkëshorti i saj, por tashmë dyshimet kanë ndryshuar. Autor i mundshëm i krimit është babai i saj, 49-vjeçari Fadi Alwan.

Kjo do të thotë se personi që kërkohet nga policia për vrasjen nuk është partneri i saj, por babai i cili ndodhet ende në arrati.

24-vjeçarja mbërriti në Shqipëri më 19 shkurt, së bashku me të atin. Ata kishin ardhur nga Gjermania dhe ishin prezantuar me dokumente greke në aeroportin e Rinasit.

Dyshimet e para se viktima dhe autori i dyshuar ishin çift u ngritën për shkak të mbiemrit të njëjtë, por më vonë u konfirmua se bëhej fjalë për raport baba-bijë.

Policia dhe grupi hetimor po vijojnë punën për të zbuluar motivacionin e vrasjes dhe për të lokalizuar autorin e dyshuar.