Përmbyset kamioni që po i transportonte, 250 milionë bletë pushtojnë rrugët në SHBA
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në shtetin amerikan të Uashingtonit, pranë kufirit me Kanadanë, ku një kamion që po transportonte mijëra koshere aktive me bletë është përmbysur, duke shkaktuar një situatë të pazakontë dhe potencialisht të rrezikshme për banorët lokalë. Si pasojë e aksidentit, rreth 250 milionë bletë u përhapën në ajër dhe në zonën përreth.
Autoritetet lokale ndërhynë menjëherë, duke mbyllur rrugën ku ndodhi ngjarja dhe duke lëshuar një paralajmërim urgjent për qytetarët që të shmangnin zonën për shkak të rrezikut të pickimeve masive.
“Qëllimi ynë është të shpëtojmë sa më shumë bletë të jetë e mundur,” thuhej në një deklaratë të Zyrës së Sherifit të qarkut. Në vendin e ngjarjes u angazhuan dhjetëra bletërritës profesionistë që u bashkuan me ekipet e emergjencës për të ndihmuar në menaxhimin e situatës dhe përpjekjet për të rikthyer bletët në kosheret e tyre.
Sipas autoriteteve, plani është që bletët të orientohen vetë drejt mbretëreshës së tyre dhe të rifuten në koshere, një proces që pritet të zgjasë 24 deri në 48 orë. Zyra e Sherifit publikoi në rrjetet sociale se deri në mëngjesin e së nesërmes, pritet që pjesa më e madhe e bletëve të jetë kthyer në vendin e duhur.
“Falënderojmë komunitetin e mrekullueshëm të bletërritësve që u mobilizuan menjëherë – më shumë se dy duzina u ofruan për të ndihmuar,” u tha në njoftim.