Përkeqësohet situata në Dropull dhe Finiq, zjarri del nga kontrolli shkak era e fortë dhe terreni i vështirë
Era e fortë përkeqësoi situatën e zjarreve në bashkitë Dropull dhe Finiq.
Në fshatin Grapsh në Bashkinë Dropull flakët rrezikojnë banesat, ndërkohë për 1 orë u ndërpre qarkullimi në aksin nacional Gjirokastë -Kakavijë. Flakët përpinë gati 6 hektarë tokë krah aksit nacional, teksa në ndihmë shkuan dhe zjarrfikëset nga Memaliaj.
Prej orësh, helikopteri Cougar, 21 efektivë të FA, 54 forca zjarrfikëse me 14 mjete zjarrfikëse nga Finiqi, Dropulli, Saranda, Himara, Delvina, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti dhe Konispoli, efektivë të Policisë së Shtetit, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile po punojnë për izolimin e flakëve dhe për shmangien e çdo rreziku për banorët e zonave.
Në zonat kodrinore ku zhvillohet pjesa më e madhe e zjarrit forcat operacionale e kanë të vështirë ndërhyrjen si pasojë e tymit dhe vështirësisë për të ngjitur kodrat, ndaj është vlerësuar shtimi i kapaciteteve operacionale.
Ministria e Mbrojtjes i bën thirrje të gjithë banorëve në fshatrat e përfshirë nga zjarret, të bashkëpunojnë me forcat në terren në rast nevoje, për të evituar çdo rrezik për jetën e tyre.
Ndërkohë policia e Gjirokastrës ka arrestuar autorin e dyshuar të zjarrit që ra dje në fshatin Frashtan të Dropullit. Ai është Manol Kokolli 58 vjeç, banor i këtij fshati.