Përkeqësohet moti, priten reshje shiu dhe dëbore, Mbrojtja Civile apel strukturave për gatishmëri
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka bërë thirrje për strukturat vendore dhe qendrore që të qëndrojnë në gatishmëri për menaxhimin e kushteve të motit që priten më 12 janar. Sipas raportimeve nga IGJEO dhe SHMU, reshje intensive shiu dhe dëbore priten të përfshijnë qarqet Vlorë, Gjirokastër, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Korçë, si dhe zona malore mbi 300 metra, ku do të ketë reshje dëbore.
Reshjet mund të shoqërohen me shtrëngata dhe ulje temperaturash, duke krijuar mundësi për ngrica dhe vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Agjencia u kërkon strukturave të bëjnë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe përgatitjen për çdo emergjencë.
Qytetarëve u rekomandohet kujdes të shtuar gjatë lëvizjeve dhe ndjekja e njoftimeve zyrtare për të shmangur rreziqet.