Përkeqësohet gjendja shëndetësore e Papa Françeskut, Vatikani: Nuk është ende jashtë rrezikut
Gjendja shëndetësore e Papa Françeskut është përkeqësuar, pasi ai ka përjetuar dy episode të pamjaftueshmërisë akute të frymëmarrjes gjatë ditës së hënë, njoftoi Vatikani.
Sipas raportit mjekësor, krizat e frymëmarrjes janë shkaktuar nga një grumbullim i madh i mukusit endobronkial. Gjithashtu, Papa ka vuajtur nga një bronkospazëm, i ngjashëm me një sulm astmatik, gjë që e ka detyruar stafin mjekësor të kryejë dy bronkoskopi, për të lehtësuar frymëmarrjen.
“Për të ndihmuar në frymëmarrje, Papa ka përdorur ventilim mekanik jo-invaziv,” thuhet në njoftimin e Vatikanit, i cili shton se prognoza e tij mbetet e paqartë, duke nënkuptuar se ai ende nuk është jashtë rrezikut për jetën.
Papa Françesku ndodhet në spitalin Gemelli në Romë që prej 14 shkurtit, pasi u shtrua për shkak të një infeksioni të rëndë të frymëmarrjes, i cili ka sjellë dhe komplikime të mëtejshme. Ai nuk është parë në publik që prej asaj kohe, ndërsa gjendja e tij vazhdon të monitorohet nga mjekët.