Gjendja shëndetësore e Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos, ka pësuar një përkeqësim të rëndë mbrëmjen e djeshme. Kryepeshkopi është transferuar në njësinë e kujdesit intensiv të një spitali në Athinë, ku aktualisht ndodhet i intubuar.
Sipas një njoftimi zyrtar të spitalit, situata shëndetësore e kryepeshkopit paraqitet kritike. “Gjendja shëndetësore e Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit të Shqipërisë, z. Anastas, ka pësuar një përkeqësim të menjëhershëm dhe ai është transferuar në njësinë e kujdesit intensiv, ku ndodhet i intubuar”, thuhet në deklaratën e administratës së spitalit.
Kryepeshkopi Anastas, i cili ka udhëhequr Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë që nga viti 1992, ka qenë një figurë qendrore në jetën fetare dhe shoqërore të vendit. Ai është vlerësuar për përpjekjet e tij për ringritjen e kishës pas rënies së regjimit komunist dhe për promovimin e dialogut ndërfetar në rajon.
Lajmi për përkeqësimin e shëndetit të tij ka sjellë shqetësim dhe lutje nga besimtarët dhe komuniteti ortodoks, të cilët shpresojnë për një rikuperim të shpejtë. Gjendja e tij mbetet nën monitorim të vazhdueshëm nga mjekët.