Përgjimet “Sky ECC”, Aleksandër Sadikaj porositi vrasjen e Ari Papës, për 1 muaj trafikoi 295 kg marijuanë,

Dosja më e fundit “Sky ECC” e zbardhur nga prokuroria greke, ka zbuluar veprimtarinë e Aleksandër Sadikajt, 27-vjecarit që u vra në vitin 2022 në Sauk në një atentat me eksploziv.

Deri më tani, mediat greke bëjnë me dije se janë vënë në pranga 20 persona, mes tyre ka dhe shqiptarë e efektivë të policisë greke. Mesazhet e shkëmbyera kanë zbardhur dhe ngjarje kriminale. Një prej tyre është ajo e Ari Papës, shqiptarit që u ekzekutua në vitin 2021. Urdhri për ekzekutimin e Papës dyshohet se është dhënë nga Aleksandër Sadikaj, i cili u vra në Tiranë me shpërthimin e një lënde eksplozive në makinë.

Dyshimet lindin pasi Sadikaj del në mesazhe se ka urdhëruar një tjetër atentat ndaj Papës, që ka dështuar. Nisur nga kjo, autoritetet greke besojnë se edhe atentatin e dytë e ka organizuar i njëjti person. Sadikaj lakohet gjithashtu si kreu i grupit kriminal që komandonte linjat e trafikut të marijuanës midis Spanjës, Shqipërisë dhe Greqisë.

Sipas dosjes hetimore, bazuar në komunikimet në platformat “Sky ECC” dhe “Encrochat”, në periudhën 30.05.2020 – 30.06.2020, Aleksandër Sadikaj ka trafikuar në dy raste, një sasi totale prej 295 kg marijuanë. Droga në Greqi pritej nga Viktorio Qytyku dhe Elson Hajredini. Nga shitja e drogës mendohet që janë fituar rreth 450.000 euro.

Sipas policisë greke, Sadikaj ishte përdorues i “Sky ECC” dhe “Encrochat”. Autoritetet greke kanë në dispozicion komunikimet e “Sky ECC” për periudhën mars 2020 – mars 2021 dhe për “Encrochat” periudhën tre mujore mars – maj 2020.

Nga dosja hetimore zbulohet gjithashtu se anëtarët e kësaj organizate, kur kuptuan se “Sky ECC” dhe “Encrochat” nuk ishin më të besueshme, në komunikime deklaronin se do të përdornin platforma të tjera të kriptuara si “ChatMail”, “Cipher” ose “Ciphr” dhe “CryptonX”.