Përgjim ambiental i Pandeli Majkos, SHISH zbardh detaje pas denoncimit të Sali Berishës

Prej kohësh kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar Pandeli Majkon për lidhje me krimin elektoral në Kukës.

Një pretendim që sipas Berishës ekzistojnë edhe përgjime ambientale nga SHISH. Por, kjo e fundit ka reaguar për Top Channel duke mohuar diçka të tillë.

“Nuk kemi bërë dhe as nuk disponojmë ndonjë përgjim ambiental apo në forma të tjera, ndaj deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Pandeli Majko. Ligji për SHISH e parashikon qartësisht mënyrën, formën dhe marrjen e lejeve përkatëse se kur dhe si përgjohet një deputet i parlamentit”.

Nga ana tjetër, Majko e përjashtoi mundësinë e ngritjes së një padie për shpifje ndaj zotit Berisha.

“Unë e kam parim. Nuk para bëj akuza për natyra të tilla. Nuk e kam bërë për asnjë gazetari apo politikani pasi mendoj se nëse do të merresha më këtë do të duhej shumë kohë dhe financim. Mendoj se çdo qytetar e ka shumë të qartë se unë nuk mund të shkoja në Kukës e të fitoja zgjedhjet duke shitur shtylla” deklaroi Majko për disa javë më parë.