“Përgjegjësi për cilindo që abuzon me detyrën”- Rrumbullaku reagon pas vrasjes së Egli Progës
Në datë 10 gusht, një ngjarje e konsideruar fillimisht si aksidentale, do të trondiste Pogradecin. Një 42-vjeçar, i identifikuar si Egli Proga, u gjet i vdekur para një dyqani në afërsi të qendrës së qytetit. U tha se ishte në gjendje të dehur dhe se dyshohej që të ishte pija, shkaku i vdekjes. Por dëshmitarët në vendngjarje reaguan duke bërë edhe denoncime publike dhe duke kërkuar hetimin e kësaj ngjarjeje, pasi sipas tyre, nuk kemi të bëjmë me incident, por me një vrasje. Kjo bëri që më pas policia të vihej në lëvizje dhe të arrestonte Denis Meçen si autor të kësaj ngjarjeje të rëndë. Për motive ende të paqarta, por dyshohet të dobëta, Denis Meçe, vrau me grushta e thikë 42-vjeçarin Egli Proga.
Sot, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkoi hetim nga drejtoria e standarteve, për të verifikuar nëse janë kryer siç duhet veprimet apo jo.
Deklarata e Rrumbullakut:
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëron inspektim në Drejtorinë Vendore të Policisë, Korçë, lidhur me ngjarjen në qytetin e Pogradecit
Bazuar në Rregulloren e Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, urdhëroi Drejtorinë e Standardeve Profesionale për kryerjen e vlerësimit të zbatimit të detyrave të strukturave në Drejtorinë Vendore të Policisë, Korçë, dhe në Komisariatin e Pogradecit, lidhur me ngjarjen ku, pas një konflikti, humbi jetën një 42-vjeçar.
Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit do të vlerësojë të gjithë tërësinë e veprimeve dhe reagimit të punonjësve të policisë, prej momentit të parë të marrjes së njoftimit mbi ngjarjen, duke synuar nxjerrjen e përgjegjësisë dhe personave përgjegjës, nëse rezultojnë të tillë.
Drejtoria e Përgjithshme të Policisë së Shtetit shpreh edhe një herë angazhimin maksimal për zbatimin e ligjit dhe punën profesionale dhe me integritet të strukturave të policisë.