Përgjaken rrugët, tjetër aksident me vdekje! Makina përfundon në kanal, humb jetën polici, 2 të tjerë në gjendje të rëndë në Sarandë
Një tjetër aksident me vdekje është shënuar ditën e sotme. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Borsh-Fterrë ku një makinë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal, për pasojë ka humbur jetën një punonjës policie që ka qenë brenda, bëhet fjalë për shtetasin E.M., 47 vjeç. Ndërsa sipas policisë dy persona të tjere janë plagosur rëndë dhe janë dërguar menjëherë në spital.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, si dhe përcaktimin e drejtuesit të mjetit në momentin e ngjarjes.
Njoftimi i policisë
Sot, rreth orës 12:00, në aksin rrugor Borsh–Fterrë, drejtuesi i një automjeti tip “Toyota” dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe si pasojë, ka dalë nga rruga duke përfunduar në një kanal anësor.
Në automjet udhëtonin tre shtetas, konkretisht R. X., V. Th., dhe E. M., rreth 47 vjeç (punonjës policie), ky i fundit ka ndërruar jetë në vendngjarje, si pasojë e dëmtimeve të marra.
Dy shtetasit e tjerë janë dërguar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, si dhe përcaktimin e drejtuesit të mjetit në momentin e ngjarjes.