Përfundon seanca në GJKKO për Asllan Dogjanin, deputeti i PD: Kërkesat tona u pranuan, vendimi përfundimtar të premten
Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka përfunduar seanca paraprake për deputetin demokrat Asllan Dogjani, i cili akuzohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për fshehje pasurie.
Pas seancës, Dogjani deklaroi se kërkesat e tij u pranuan nga gjyqtarja Rudina Palloj dhe se vendimi përfundimtar mbi çështjen do të shpallet të premten, më 24 janar, në orën 10:00.
Në një prononcim për mediat jashtë ambienteve të gjykatës, deputeti u shpreh:
“Vendimi i gjyqtares Rudina Palloj tregoi se ka gjyqtarë të zotë. Uroj që sistemi i drejtësisë të ketë sa më shumë gjyqtarë si kjo sot, që vendosi pavlefshmëri dhe papërdorshmëri. Kërkesat tona u pranuan dhe të premten gjyqtarja do të japë vendimin përfundimtar mbi çështjen.”
Dogjani akuzohet nga SPAK se ka bërë deklarime të rreme lidhur me përfitimin e një apartamenti banimi në Tiranë, duke mos deklaruar saktë burimin e të ardhurave. Prokuroria pretendon se apartamenti është përfituar përmes pagesave në para të thata dhe se kontrata e prezantuar nga i pandehuri është fiktive.
Gjykata pritet të vendosë të premten nëse dosja do të kalojë për gjykim apo nëse çështja do të pushohet.