Përfitonte para përmes linkut në rrjetet sociale, arrestohet francezi në Tiranë
Finalizohet operacioni policor kundër krimit kibernetik, i koduar “MISLEADING MESSAGES”.Në pranga ka rënë 23-vjeçari francez, Adem Said.
Arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi përmes mashtrimit me dërgimin e mesazheve të rreme në celularë, kërkonte plotësimin e formularëve me të dhëna bankare personale, të cilat më pas i përdorte për të tërhequr para nëpërmjet bankomateve (ATM) dhe aplikacioneve bankare të instaluara në celulare.
Në këtë skemë mashtrimi kanë rënë viktimë qindra shtetas shqiptarë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 celularë.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe procedimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit siguron qytetarët se ka të gjitha kapacitetet logjistike dhe burimet njerëzore për të gjurmuar, identifikuar dhe arrestuar ata që keqpërdorin hapësirat e rrjeteve sociale në dëm të qytetarëve dhe apelon sërish për më shumë vigjilencë nga qytetarët ndaj çdo aplikacioni të panjohur që iu ofrohet në rrjetet e tyre sociale dhe t’i denoncojnë menjëherë në Policinë e Shtetit.