Përfaqësuesit amerikanë të OPDAT rikthehen në SPAK dhe GJKKO, asistencë në hetime
Përfaqësues të OPDAT nga Shtetet e Bashkuara janë rikthyer në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke rifilluar asistencën e tyre në hetime.
Mësohet se ekspertët amerikanë do të vijojnë të mbështesin institucionet shqiptare të drejtësisë, pas largimit të tyre në fillim të shkurtit si pasojë e një urdhri ekzekutiv të firmosur nga presidenti amerikan Donald Trump.
Përveç OPDAT (Oficeri i Ndihmës për Trajnimin dhe Asistencën në Prokurori), SHBA ka mbështetur SPAK dhe GJKKO përmes strukturave të tjera si ICITAP (Programi Ndërkombëtar i Trajnimit për Çështje të Krimit), DEA (Agjencia për Luftën kundër Drogës) dhe FBI (Byroja Federale e Hetimeve).
Përfshirja e ekspertëve amerikanë është parë si thelbësore për forcimin e kapaciteteve të drejtësisë shqiptare, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. OPDAT ka bashkëpunuar ngushtë jo vetëm me SPAK dhe GJKKO, por edhe me Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, duke ndihmuar në trajnime dhe hetime.