“Për një plesht djegim jorganin”/ Nga zgjidhja e çështjes së detit në Hagë, investimet e Jared Kushner në Sazan deri në marrëveshjen me Italinë për refugjatët, Rama flet për median greke
Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për televizionin grek “Mega” me gazetaren Niki Lymperaki, ka folur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, investimet e huaja dhe sfidat e politikës evropiane. Rama theksoi se lidhjet mes dy vendeve janë të mira, por mbeten disa çështje të pazgjidhura si ligji i luftës dhe marrëveshja për detin, që pritet të dërgohet për zgjidhje në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
“Ne kemi një shprehje: për një plesht djegim jorganin. Marrëdhëniet tona janë përmirësuar, por disa pengesa historike ende kërkojnë zgjidhje,” tha Rama, duke iu referuar vonesës në zgjidhjen e çështjes detare.
Kreu i qeverisë shqiptare komentoi edhe mbi marrëveshjen me Italinë për refugjatët, duke theksuar se ajo nuk ka përfitime ekonomike për Shqipërinë, por është një akt mirënjohjeje për ndihmën e ofruar nga Italia ndër vite.
Në lidhje me investimet, Rama foli për projektet e mëdha të biznesmenit amerikan Jared Kushner në Shqipëri, përfshirë ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit. Kryeministri sqaroi se një nga projektet është në partneritet me shtetin shqiptar, i cili do të ketë aksione përmes kompanisë shtetërore të investimeve.
“Projekti në ishull është më i ndërlikuar, pasi kërkon zgjidhje infrastrukturore, por nëse realizohet do të jetë një projekt i jashtëzakonshëm,” u shpreh Rama, duke mohuar çdo shqetësim për lidhjet e mundshme politike të Kushner.
Rama gjithashtu deklaroi se Shqipëria është e angazhuar për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke shpresuar që ky proces të përfundojë deri në vitin 2030.
I pyetur për zgjedhjet e ardhshme të 11 majit, Rama njoftoi se emigrantët shqiptarë do të mund të votojnë për herë të parë me postë, ndërsa pritet të vizitojë Greqinë jashtë fushatës zgjedhore.
Në përmbyllje, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik me Greqinë dhe ftoi investitorët grekë të shfrytëzojnë mundësitë që ofron Shqipëria.