Për Nevruzin….

Nga: Igli Çelmeta
Për Nevruzin, që sot na tregoi se efektivët e ndershëm të Policisë së Shtetit vriten dy herë edhe nga krimi edhe nga shteti!
“Këtu nuk ka shtet, jemi të pambrojtur dhe të pavlerësuar si efektivë policie. Novruzi ishte djalë flori, nuk i ndihej zëri i gojës, model në punë dhe jashtë saj”, më tregon me trishtim dhe dhimbje një efektiv policie që kreu Akademinë e Policisë bashkë me Novruz Cenalian.
“A e marrtë dreqi këtë punën tonë, po na torturojnë o vëlla për asgjë”, vijon ai. Trishtuese!
Më përlotën këto fjalë nga efektivi i policisë koleg i Novruz Cenalias, që u vra sot në Fier.
28-vjeçari Novruz Cenalia u bë sot dëshmori i 227 i atdheut i rënë në krye të detyrës si efektiv policie. Trishtuese, sa shumë efektivë të vrarë dhe sa pak reflektim nga shteti për t’i dhënë siguri.
Novruzi e kishte pasion punën në polici dhe këtë pasion e kishte të pasuar nga i ati i tij, i cili po ashtu ishte punonjës policie. Pasioni dhe ëndrra e Novruzit për garantuar rendin dhe sigurinë për vendin e tij u shua sot. U shua në lule të rinisë, në moshën më të bukur dhe motivuese për ta bërë punën në shërbim të vendit dhe qytetarëve të tij me pasionin dhe dëshirën më të madhe. Novruzi u vra në krye të detyrës edhe pse ende nuk e kishte marrë shërbimin, ai ishte në krye të detyrës sepse një efektiv policie në momentin e parë që vesh uniformën e policisë, përfaqëson Policinë e Shtetit dhe është në detyrë.
Edhe sa të tjerë efektivë policie do të vriten si Novruzi, që shteti të reagojë dhe t’i japë mbrojtje dhe siguri?
E dini sa para paguhet Novruzi dhe kolegët e tij, që rrezikojnë çdo ditë përballë krimit dhe humbin edhe jetën? 590 mijë lekë të vjetra. Skandaloze, si mund të paguhet kaq pak një punonjës policie i forcave “Shqiponja”. Një deputet, i cili mbrohet dhe ka siguri maksimale dhe ka privilegje të pajustifikuara paguhet 4-fish më shumë dhe këta deputetë kurrë nuk e marrin mundimin të flasin në Kuvend për vështirësitë e punonjësve të policisë, por akoma më rëndë, madje i sulmojnë, i qëllojnë me gura, me molotov në protesta. A është normale kjo? Turp për shtetin shqiptar që nuk vlerëson efektivët e thjeshtë të Policisë së Shtetit.
Kërcënohet një prokuror, menjëherë bëhet nami me reagime dhe merren në mbrojtje, madje edhe kur prokurorët kërcënojnë njëri-tjetrin për histori skandalesh apo histori rozë, si rasti i fundit në Gjykatën e Tiranës. Të gjithë flasim në media, prokurorët e SPAK në rrezik dhe mbrohen me përpikmëri dhe shumë mirë që i mbrojnë.
Ndërkohë kur vriten efektivë policie, 227 të vrarë në total dhe ende shteti nuk e ka marrë seriozisht situatën që t’i vlerësojë siç duhet efektivët dhe t’i japë sigurinë që meritojnë.
Vlerësojini efektivët e policisë, jepini një pagë dinjitoze dhe jo qesharake, jepini sigurinë që meritojnë. Efektivët e thjeshtë që rraskapiten në terren, ata e bëjnë punën e vërtetë dhe jo drejtuesit që rrinë në zyra dhe japin urdhra.
E dini që efektivët i marrin lekët e ushqimeve copa copa, e dini që nuk paguhen për të gjitha orët shtesë. E dini që nuk paguhen për punët jashtë orarit për sigurinë në stadiume. E dini që nuk paguhen as edhe për protestat. Kushte skandaloze!
Të mbrohen dhe t’u jepet siguri punonjësve të Policisë së Shtetit! Duhet reagim i vërtetë dhe konkret nga shteti dhe jo vetëm fjalë si gjithmonë!
Efektivi i policisë para se të vritet nga krimi në krye të detyrës është i “vrarë” nga shteti, i cili e ka hedhur në rrugë, të pambrojtur dhe të pavlerësuar! Trishtuese!

Check Also

I nxehti afrikan, mësoni si do të jetë moti këtë fundjavë

Këtë fundjavë vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike për …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *