Pensionet, Rama: Rritje graduale, synojmë që minimali të jetë 200 euro

Kreu i PS, Edi Rama premtoi një takim në Cërrik me fermerë, për mbështetjen e deritanishme shtetërore përmes skemave mbështetëse dhe rritjen e mëtejshme të saj.

Sipas Ramës “pensionet janë çështja më delikate në aspektin e buxhetit të shtetit dhe kapaciteteve që ka buxheti i shtetit”.

Teksa bëri një pasqyrë të situatës së pensioneve në vend, Rama tha se PS synon që pensioni minimal të jetë 200 euro.

“Sot ka pensionistë të cilët për të njëjtën punë, të njëjta vite pune marrin pensione të ndryshme, sepse çfarë ndodhi, që ishte një nga politikat më kriminale që janë bërë nga këneta, u bë një mbyllje masive e gjithë aseteve të Shqipërisë dhe u nxorën njerëzit në rrugë që 40 vjeç, u shpallën pensionistë dhe kjo u shoqërua më një vendim që pensioni më i lartë është 200 mijë lekë të vjetra ndërsa pensionet e tjera ishin komplet qesharake gjithë kjo krijoi një masë të madhe njerëzish që nga një anë u shpallën pensionistë nga ana tjetër puna e tyre nuk figuronte në sigurimet shoqërore. Niveli i punës në të zezë katastrofik dhe përveç kësaj kjo situatë u mbajt deri në 2014, kur ne e hoqëm tavanin dhe thamë një gjë shumë të thjeshtë, pensioni është ajo që ti ke kontribuar në vite dhe prandaj na ra goja duke u thënë njerëzve që mos të marrin pagën në dorë. Të duket sikur merr pak më shumë, por i bën gropën vetes kur të dalësh në pension, ai që ta bën këtë po të vjedh pensionin. Ne duam që në Shqipërinë 2030 të synojmë pension minimal 200 euro”, tha Rama.