Pensionet me Italinë nisin sot! Hyn në fuqi marrëveshja, përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë

Nga sot ka hyrë zyrtarisht në fuqi marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të viteve të punës mes Shqipërisë dhe Italisë, duke sjellë një lehtësi të madhe për mijëra qytetarë shqiptarë dhe italianë që kanë punuar në të dy vendet.

Individët që plotësojnë kriteret për përfitim pensioni mund të aplikojnë pranë zyrave të sigurimeve shoqërore në të dy vendet, ose online në portalin zyrtar e-Albania.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore në Shqipëri ka bërë të ditur më herët se janë marrë masa për të përballuar një numër të madh aplikimesh, që sipas parashikimeve, pritet të kalojnë mbi 500 në ditë.

Për të marrë pension në Itali duhen minimalisht 20 vite punë, ndërsa në Shqipëri duhen minimalisht 15 vite. Por me këtë marrëveshje të gjithë ata që nuk plotësojnë kushtin minimal të viteve të punës, kanë mundësi të përfitojnë sepse vitet e punës bashkohen. Kjo do të thotë se edhe ata që deri më sot nuk kishin të drejtë për pension për shkak të viteve të pamjaftueshme, tashmë mund të përfitojnë.

Sipas vendimit të senatit italian kostoja për mbulimin e pensioneve për shqiptarët që do të përfitojnë në Itali gjatë vitit 2025 llogaritet rreth 51.6 milionë euro, ndërsa deri në vitin 2032 kjo shifër pritet të arrijë deri në 270 milionë euro.
Nga kjo marrëveshje pritet të përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë dhe rreth 4 mijë shtetas italianë, që kanë jetuar dhe punuar në të dy vendet ndër vite.