Pengim i drejtësisë, Haga dënon me burg Shalën, Januzin dhe Bahtijarin

Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, kanë shpallur fajtorë dhe kanë dënuar Haxhi Shalën, Sabit Januzim dhe Ismet Bahtijarim, lidhur me akuzat që kanë të bëjnë me pengim të drejtësisë. Kështu trupi gjykues pranoi marrëveshjen e fajësisë që të akuzuarit arritën më herët me Prokurorinë e Specializuar.

Sipas vendimit, Haxhi Shala u dënua me 3 vjet burgim, ndërsa Sabit Januzi dhe  Ismet Bahtijari u dënuan me 2 vjet burgim secili.

Gjithashtu, në fillim të seancës, të tre të akuzuarit u pajtuan të paguanin një shumë totale prej 500 euro si kompensim për viktimën në këtë rast, e cila identifikohet si “viktima 01”. Nga kjo shumë, 400 euro do të paguajë Shala, 100 euro Januzi, ndërsa Bahtijari nuk do të paguajë asgjë. Shuma duhet të paguhet deri më 19 shkurt 2025.

Të akuzuarit pranuan fajësinë për frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të drejtësisë, pasi në fund të dhjetorit 2024 kishin arritur një marrëveshje me Prokurorinë e Specializuar për pranimin e fajësisë.

Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi u arrestuan në tetor 2023, ndërsa Haxhi Shala u arrestua në dhjetor 2023. Koha që kanë kaluar në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë do t’u llogaritet në vuajtjen e dënimit të tyre.