Pëllumb Seferi në SHBA: Forcimi i bashkëpunimit të Policisë së Shtetit në fushën e sigurisë

Në kuadër të forcimit të marrëdhënieve strategjike në fushën e sigurisë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit, Drejtues i Lartë, Pëllumb Seferi, zhvilloi një vizitë zyrtare në SHBA.

Vizita, e zhvilluar në bashkëpunim me organizatën Open Gov Hub, kishte në fokus thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimin e përvojave dhe promovimin e praktikave të avancuara në fushën e policimit modern dhe sigurisë publike.

Gjatë qëndrimit në Uashington D.C., Seferi realizoi një sërë takimesh me përfaqësues të institucioneve federale dhe shtetërore amerikane, si dhe me organizatat shqiptaro-amerikane, struktura të shoqërisë civile dhe pjesëtarë të diasporës shqiptare. Ai vizitoi gjithashtu Ambasadën e Shqipërisë në Uashington, si dhe disa universitete dhe qendra kërkimore që veprojnë në fushat e sigurisë, drejtësisë dhe administratës publike.

Në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, Seferi shprehu angazhimin e palëkundur të Policisë së Shtetit për forcimin e bashkëpunimit me SHBA-në në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe sfidave të tjera të sigurisë globale.

Fokusi kryesor i vizitës ishte shkëmbimi i praktikave më të mira amerikane në drejtimin dhe modernizimin e strukturave të policisë, forcimi i modelit të policimit në komunitet, si dhe rritja e transparencës dhe bashkëpunimit me qytetarët si partnerë në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Vizita vlerësohet si një hap konkret drejt rritjes së kapaciteteve institucionale të Policisë së Shtetit dhe thellimit të partneritetit me një nga aleatët më të rëndësishëm të Shqipërisë në fushën e sigurisë.