Pelegrinazh i madh bektashi në Larisa, Baba Mondi: Teqja e Turballi Sulltanit, tempull i paqes dhe dashurisë njerëzore
Larisa e Greqisë është bërë këtë fundjavë qendër shpirtërore për qindra besimtarë bektashinj nga vende të ndryshme të rajonit, në kuadër të një pelegrinazhi të madh ndërkombëtar të zhvilluar në Teqenë Bektashiane të Turballi Sulltanit. Ceremonia e shenjtë u drejtua nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi, i cili përcolli një mesazh të fuqishëm paqeje, dashurie dhe vëllazërie njerëzore.
Në fjalën e tij, Baba Mondi tha se Teqja e Turballi Sulltanit është një tempull i lashtë që vazhdon të mbetet një simbol i paqes dhe bashkëjetesës mes njerëzve të të gjitha besimeve dhe kombësive. “Ky tempull i Zotit është një vend i shenjtë që mëkon sot për të gjithë mirësi shpirtërore dhe i fton njerëzit të jenë më njerëzorë, më të dashur, më humanë,” tha ai.
Ai theksoi se në kohën e sotme, më shumë se kurrë, është e nevojshme të mbillet paqja në zemrat e njerëzve dhe që dashuria të udhëheqë jetën në çdo aspekt të saj. “Ky vend i shenjtë na fton të bëhemi njerëz që përhapin paqe kudo,” shtoi Baba Mondi.
Ceremonia ka mbledhur besimtarë nga Shqipëria, Greqia, Turqia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, duke e kthyer këtë pelegrinazh në një manifestim të fortë shpirtëror dhe ndërkombëtar të unitetit bektashian.