PE miraton raportin për Shqipërinë, Spiropali: Mesazh i fuqishëm mbështetjeje për rrugën drejt BE-së
Me 502 vota nga 686 prezentë në sallë, Parlamenti Europian miratoi Raportin 2023-2024 për Shqipërinë, i hartuar nga eurodeputeti austriak Andreas Schieder.
Kryefjala e raportit të këtij viti është fakti se Shqipëria është në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë proces, atë të Integrimit në Bashkimin Europian.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, përshëndeti këtë vendim si një “sinjal të qartë mbështetjeje për procesin e zgjerimit” dhe falënderoi eurodeputetët për angazhimin dhe vëmendjen ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit.
Raporti pason debatet e zhvilluara më 8 korrik dhe miratimin nga Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë (AFET) më 4 qershor. Ai evidenton arritjet e Shqipërisë në reforma institucionale, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e administratës publike dhe lirinë e medias, por nënvizon edhe nevojën për përshpejtim të mëtejshëm të reformave.
Spiropali falënderoi raportuesin për Shqipërinë, Andreas Scheider, për qasjen objektive dhe bashkëpunimin konstruktiv dhe theksoi rëndësinë e mbajtjes së një qasjeje të bazuar në merita nga institucionet europiane.
“Kjo është një fazë e rëndësishme, ndërsa Shqipëria po avancon me vendosmëri në përputhje me aspiratat e qytetarëve dhe vlerat e Bashkimit Europian,” u shpreh Spiropali, duke riafirmuar përkushtimin për reformat e nevojshme dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet europiane.