PE miraton raportin për Shqipërinë, Elisa Spiropali: Rikonfirmim i avancimit tonë drejt BE, jemi pararojë mes vendeve kandidate

Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Europian ka miratuar raportin që vlerëson përkushtimin e Shqipërisë ndaj anëtarësimit në BE dhe përputhjen e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

Raporti që u miratua me 57 vota pro, 11 kundër dhe 6 abstenime thekson mbështetjen e gjerë politike dhe popullore për integrimin, duke e cilësuar Shqipërinë si një nga vendet më të avancuara në këtë proces.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka reaguar pas miratimit të këtij raportit, duke e cilësuar këtë si një vlerësim të qartë për progresin e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Ky raport vlerëson avancimin tonë të shpejtë drejt anëtarësimit, si vendi pararojë mes vendeve kandidate që ecën me vendosmëri drejt familjes europiane. Ai thekson arritjet në reformat demokratizuese dhe integruese, forcimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë si dhe luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë”, deklaroi Spiropali.

Ajo theksoi se objektivi strategjik kombëtar mbetet hapja e të gjithë kapitujve të negociatave brenda muajit qershor, përmbyllja e procesit brenda vitit 2027 dhe anëtarësimi në BE brenda kësaj dekade.

“Ky objektiv po gjen gjithnjë e më shumë mbështetje – nga Parlamenti Europian, Komisioni Europian dhe tashmë edhe nga vendet anëtare”, shtoi Spiropali.

Në përmbyllje të deklaratës, ajo shprehu mirënjohjen për reporterin Andreas Schieder, i cili sipas saj pasqyroi me realizëm arritjet e Shqipërisë, si dhe për deputetët europianë që mbështetën raportin me shumicë absolute.