PD zhvendos protestën më 7 Tetor, në orën 18:00

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD, në të cilën mbajti një fjalë edhe kryetari Sali Berisha, është vendosur që të shtyhet protesta e thirrur për në fund të javës që vjen, nga e diela e datës 6 Tetor, për të hënën e datës 7 Tetor. Kjo protestë do të nisë në orën 18:00.

“Ditën e hënë, datë 7 Tetor 2024, ora 18:00, fton qytetarët shqiptarë të bëhemi të gjithë bashkë në Tiranë, për të reaguar kundër padrejtësive me autor të vetëm Edi Ramën. Mospajtimi me padrejtësinë është mision i çdo qytetari të ndershëm shqiptar. Mospajtimi me të keqen fillon nga Kryeministria dhe shtrihet atë ditë në të gjithë rrugët e Tiranës”, thuhet në një njoftim të PD.

Në këtë mbledhje Berisha deklaroi se duhet të nisë një mosbindje deri në pranimin e qeverisë teknike, si kusht që ka opozita për zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025. Ende nuk dihet përse është shtyrë me një ditë protesta e parashikuar të mbahej më 6 Tetor.

Protesta është parashikuar të zhvillohet në disa lokacione të ndryshme të Tiranës. Nuk do të ketë protestë që do zhvillohet vetëm në bulevard dhe me fjalime, si ato që kemi parë në herët e mëparshme të protestave kombëtare që janë thirrur në kryeqytet.

Ditën e hënë PD do të mbledhë në orën 15:00 grupin parlamentar. Në këtë mbledhje do të diskutohet për aksionin e deputetëve në seancën e pasdites së nesërme.