PD sot protestë kundër mbylljes së TikTok para Kryeministrisë, policia merr masa të rrepta sigurie
Partia Demokratike ka organizuar një protestë sot në orën 19:00 kundër vendimit të qeverisë për mbylljen e platformës TikTok. Kreu i PD-së, Sali Berisha, e ka cilësuar këtë vendim si akt censure dhe ka ftuar të rinjtë të bashkohen në tubimin që do të mbahet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha e akuzoi qeverinë për frikë nga fjala e lirë dhe tha se ndalimi i TikTok-ut është një vendim i motivuar politikisht përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Për protestën janë marrë masa të rrepta sigurie. Në terren do të jenë të dislokuar rreth 1 200 efektivë policie, përfshirë forcat RENEA dhe Gardën e Republikës, të cilët do të mbajnë në ruajtje institucionet shtetërore. Policia Rrugore do të bllokojë të gjitha rrugët që lidhen me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa përgjatë protestës do të vendosen kamera sigurie me rezolucion të lartë për të identifikuar çdo veprim të dhunshëm.
Organizatorët kanë marrë leje për zhvillimin e tubimit deri në orën 21:00, ndërsa uniformat blu kanë urdhër të mos provokojnë protestuesit dhe të mbajnë nën vëzhgim personat me histori dhune në protestat e mëparshme.