PD për votën e diasporës – Letër KQZ dhe OSBE: Rrezikohet integriteti i procesit zgjedhor, kërkohet hetim nga SPAK

Partia Demokratike ka ngritur shqetësimin për rrezikimin e integritetit të procesit zgjedhor në kuadër të votës së diasporës për zgjedhjet e 11 majit, duke i dërguar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe për dijeni misionit të OSBE-ODIHR në Shqipëri, që po monitoron procesin elektoral.

Në këtë letër, PD thekson se ka konstatuar parregullsi serioze me votën e diasporës në disa vende të Bashkimit Europian, SHBA, Britaninë e Madhe dhe veçanërisht në Greqi, ku pretendohet se janë shkelur procedurat, ka pasur mungesë transparence, presion politik mbi zgjedhësit, shpërndarje jo zyrtare të fletëve të votimit dhe cenim të fshehtësisë së votës.

Mes kërkesave të PD-së përfshihen auditimi i plotë i të gjithë logjistikës së votës së diasporës, rishikimi për pavlefshmëri të çdo vote të dorëzuar në mënyrë të parregullt, hetim penal nga SPAK për blerje të votave dhe përfshirje të Partisë Socialiste në shpërndarjen e tyre, si dhe dërgimi i një misioni të OSBE-ODIHR në qendrat e diasporës në Greqi dhe vende të tjera me numër të lartë votuesish.