PD mbledh Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar më 12 mars për listat e kandidatëve

Partia Demokratike ka njoftuar se më 12 mars do të mbledhë Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar për të diskutuar dhe miratuar listat e kandidatëve për deputetë.

Kryesia do të mblidhet në orën 16:00 për të shqyrtuar listën e kandidatëve të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, ndërsa Këshilli Kombëtar do të mbajë mbledhjen e tij në orën 19:00.

Kjo mbledhje vjen në kuadër të afatit zyrtar për dorëzimin e listave në KQZ, i cili përfundon më 12 mars. Pas marrëveshjeve të arritura mes PD dhe 25 partive të tjera, tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i emrave që do të garojnë në zgjedhjet e 11 majit.

Ndër aleatët e PD-së është edhe Partia Agrare Ambientaliste e Agron Dukës, i cili ka deklaruar se nuk do të jetë në listë, por partia e tij do të ketë përfaqësues.

Nga ana tjetër, në marrëveshjen mes Sali Berishës dhe Ilir Metës, disa emra të Partisë së Lirisë janë dakordësuar për t’u përfshirë në listën e sigurt, ndërsa Meta do të kandidojë në Tiranë në një listë të hapur.