PD kërkon pavlefshmëri të zgjedhjeve në Kukës dhe ndjekje penale për shkelje në fushatë! KAS shqyrton dy ankesa më 27 maj
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) do të zhvillojë më 27 maj 2025 një seancë publike për shqyrtimin e dy kërkesave ankimore që lidhen me zgjedhjet e 11 majit dhe shkeljet e pretenduara gjatë fushatës elektorale.
Seanca do të nisë në orën 16:00 me shqyrtimin e ankesës së paraqitur nga Shkëlqim Malevija, i cili kundërshton vendimin nr. 1293, datë 19.05.2025 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ). Vendimi kishte të bënte me pushimin e shqyrtimit të denoncimit nr. 175 ID, datë 07.05.2025, për shkelje të pretenduara të ligjit gjatë fushatës zgjedhore dhe mosreferimin e rastit në organet e ndjekjes penale.
Në orën 16:30, KAS do të shqyrtojë një tjetër ankesë të depozituar nga Koalicioni “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, e cila kundërshton vendimin nr. 1309, datë 19.05.2025 të KSHZ-së “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të votimit në zonën zgjedhore Qarku Kukës, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë”. Në këtë ankesë, opozita kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve në të gjithë qarkun Kukës, si dhe urdhërimin për përsëritjen e tyre.