PD “humb” para zgjedhjeve/ Tërhiqen edhe disa nga kandidatët një ditë pas regjistrimit
Enkelejd Alibeaj premtoi se Partia Demokratike do të marrë pjesë në zgjedhje, por mesa duket nuk e ka pasur shumë seriozisht. PD zyrtare dështoi të dalë më 61 kandidatë, por trashëgimtari i Lulzim Bashës, kishte një arsye për këtë.
Kjo është hera e parë në tre dekada që Partia Demokratike nuk publikon listat e kandidatëve të dorëzuara në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Teksa po mbyllet 24 orëshi nga dorëzimi i listave Enkelejd Alibeaj është ende i paqartë sa kandidatë ka dorëzuar për 61 Bashki apo sa do të qëndrojnë në garë duke ia lënë përgjegjësinë KQZ.
Në konferencën për media, Alibeaj prezantoi kandidatin e tij për Tiranën Roland Bejko dhe kryesuesen e listës së Këshillit Bashkiak Enriketa Papa, të vetmit kandidatë të prezantuar zyrtarisht deri tani nga PD zyrtare. Ajo që i bashkoi dy kandidatët ishte linja e fortë anti- Berishë.
“Sali Berisha nuk është i interesuar të fitojë mbi Edi Ramën ai është i interesuar të fitojë monopolin e opozitës. Unë nuk mund të pranoj që e djathta të përfaqësohet nga individ që janë izoluar më shumë sesa Enver Hoxha.”– tha Bejko
“I kuptoj emocionet e zotit Bejko, për ti dhëne PD një fytyre larg kultit te individit dhe trashëgimisë se komunizmit.”- tha Enriketa Papa
Me shumicën e kandidatëve akoma në ilegalitet, grupimi që ka në dorën logon dhe vulën e partisë demokratike po shkon drejt fushatës elektorale pa mbledhur asnjëherë Këshillin Kombëtar, organin me të lartë që sipas statutit merr vendimin final për kandidatët.
“Është i vërtetë konstatimi!”- u shpreh Alibeaj.
Mosmbledhja e Këshillit Kombëtar prodhoi efektin e menjëhershëm në Korçë ku kandidati Gjergji Gjata u tërhoq nga gara në të njëjtën kohë kur Enkelejd Alibeaj fliste për shkeljen e këtij parashikimi statutor.