PD ankimon rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit në Vlorë dhe Gjirokastër: Të shpallen të pavlefshme për shkak të manipulimeve nga PS
Partia Demokratike – Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” ka depozituar zyrtarisht një kërkesë ankimore për pavlefshmërinë e zgjedhjeve të 11 majit në dy qarqe të vendit: Vlorë dhe Gjirokastër. Në kërkesën e dorëzuar, PD kërkon që rezultati i këtyre zgjedhjeve të shpallet i pavlefshëm, duke akuzuar Partinë Socialiste për manipulim të procesit përmes përdorimit të administratës publike.
Sipas PD-së, në Qarkun e Vlorës është konstatuar një përfshirje sistematike e nëpunësve të administratës publike në fushatën elektorale, duke shkelur parimin e neutralitetit politik dhe barazisë në garën zgjedhore.
“Përdorimi i strukturave shtetërore dhe angazhimi i punonjësve publikë në funksion të interesave elektorale të Partisë Socialiste ka cënuar rëndë integritetin e procesit”, thuhet në dokumentin zyrtar të PD-së.
Në dokumentin ankimor theksohet gjithashtu se kryetarët e bashkive dhe drejtues të tjerë lokalë, që njëkohësisht mbajnë funksione brenda PS-së, kanë ushtruar presion të drejtëpërdrejtë mbi administratën, kanë ofruar avantazhe dhe kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në mbështetje të kandidatëve socialistë.