Lideri i opozitës, Sali Berisha, në bashkëbisedimin e tij me qytetarët nëpërmjet rrjeteve sociale, u ndal dhe te patronazhistët, duke i shpallur ata kriminelë elektoralë.
Ai u shpreh se çdo patronazhist do të gjykohej me rreptësinë më të madhe për atë që siç e quajti ai, veprimtarinë e tyre kriminale elektorale.
“Deklaroj me përgjegjësi të plotë para jush, se çdo patronazhist e shpall kriminel elektoral, terrorist elektoral dhe do të gjykohen me rreptësinë më të madhe për veprimtarinë e tyre kriminale elektorale.
Parmbrëmë, Zëri Amerikës informoi shqiptarët dhe botën se, në Shqipëri 20% e qytetarëve kanë votuar nën terrorin e patronazhistëve. I kanë rrëfyer Zërit të Amerikës se janë terrorizuar, janë frikësuar nga patronazhistët dhe kanë votuar me kërkesën e tyre.
I siguroj se do mjerohen me ndërhyrjet e tyre, krimin e tyre elektoral. Mos të harrojmë se rryma, stina është kundër këtij regjimi. Është për opozitën, radha e opozitës.
Ndaj edhe të mendohen 3 herë para se të bëjnë hapin e parë”, u shpreh Berisha.