“Patëm një diskutim produktiv”, Zelensky zbulon bisedën me Trump pas fitores së zgjedhjeve

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se pati një bisedë “produktive” me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.

“Ende nuk mund të dimë se cilat do të jenë veprimet e tij specifike. Por, shpresojmë që Amerika të bëhet më e fortë”, deklaroi presidenti ukrainas.

“Kjo është lloji i Amerikës që i duhet Evropës. Dhe një Evropë e fortë është ajo që i duhet Amerikës”, shtoi ai.

Lideri ukrainas përsëriti mesazhin se Kievi do të ndjekë politikën e “paqes përmes forcës,” në vend të lëshimeve të territorit apo neutralitetit.

“Është në dorë të Ukrainës të vendosë se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të jetë në rendin e ditës për t’i dhënë fund kësaj lufte. Çdo vend, çdo lider që respekton ligjin ndërkombëtar dhe ulet në këtë tryezë duhet të kuptojë se grabitqarët gjithmonë kërkojnë më shumë e më shumë”, pohoi Zelensky.

Presidenti i zgjedhur amerikan Trump ka deklaruar vazhdimisht se lufta Rusi-Ukrainë nuk do të kishte filluar nëse ai do të ishte president

Ai gjithashtu është zotuar ta përfundojë luftën, duke pohuar herë pas here se do të ndalte konfliktin para se të merrte detyrën. Në muajin korrik, ai tha se mund ta zgjidhte konfliktin brenda një dite.